
Qindra qytetarë kanë protestuar për 3 orë me rradhë për të kërkuar drejtësi për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Protesta ka nisur para Ministrisë së Brendëshme dhe Bashkisë së Tiranës për tu zhvendosur më pas tek kryeministria.
Protestuesit kanë kërkuar drejtësi për vrasjen e të riut. Ata kërkuan dorëheqjen e Ministrit të Brendëshëm, Sandër Lleshaj.
Turma e irrituar ka qëlluar dritaret e Ministrisë së Brendëshme duke thyer xhamat dhe më pas i kanë vënë zjarrin pemës së vitit të ri në krah të kryeministrisë si dhe pemës në Sheshin “Skenderbej”.
Situata mes policisë dhe protestuesve ka qenë e tensionuar dhe herë pas here ka patur përplasje.
Protestuesit kanë tentuar të futen në mjediset e brendëshme të kryeministrisë, por nuk janë lejuar nga policia, e cila ka përdorur spray lotsjellës për të shpërndarë turmën. Nga protesta kanë mbetur të lënduar disa punonjës policie, protestues e gazetarë.
Protestuesit janë shpërndarë, ndërsa është paralajmëruar rikthimi në protestë në orën 22.00.