
Policia ka arrestuar 3 persona, organizatorë të protestës për vrasjen e 25 vjeçarit.
Sipas burimeve zyrtare të policisë ata janë arrestuar në flagrancë, ndërkohë që po procedohen në gjendje të lire 4 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit,” arrestuan në flagrancë, persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” “Kundershtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetesise publike” “ Shkaterrimit të pronës me zjarr” dhe” Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik” shtetasit :
R.P., 21 vjeç, banues në Tiranë, A.K., 29 vjeç, banues në Durrës dhe V.K., 23 vjeç.
Si dhe u proceduan në gjendje të lire 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 8 shtetas.
Sipas policisë këta persona një ditë më parë kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke kundërshtuar me dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë si dhe në vende të ndryshme duke shkatërruar pronën shtetërore dhe atë private.
Në raport thuhet se ata kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta,lëndë piroteknike duke lënduar 16 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë. Si dhe kanë thyer me gurë disa automjete të policisë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 po vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar për pjesëmarrjen në këtë tubim dhe për kryerjen e veprimeve te kundraligjshme .
Policia e Shtetit apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe u bën thirrje qytetarëve që problematiken dhe shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente, pa krijuar grumbullime, pasi grumbullimet dhe tubimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID -19.