
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se në fund të këtij muaji do të paraqitet strategjia se si do të bëhet hapja e transportit publik. Së fundmi, kreu i Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban, Rixhin Qosja, ka thënë për “ABC News” si do përshtatet lëvizja bazuar në disa modele europiane. Ai ka thënë se në rregullat e reja nuk lejohet qarkullimi më shumë se 25% e qytetarëve në një mjet. Gjithashtu, pasagjerët duhet të përdorin maska dhe doreza, ndërsa po shihet mundësia që mos të ketë fatorino.
“Jemi duke bërë disa adaptime bazuar në modelet që janë bërë në Europë për të kuptuar kapacitetin e pasagjerëve që mund të transportojmë. Jemi ende ne pritje të protokollit final. Me rregullat e reja që do aplikojmë, s’mund të qarkullojnë më shumë se 25% e qytetarëve në një mjet duke ruajtur distancën e sigurisë. Për ne si operatorë është problem për sa kohë nuk kemi një mbështetje financiare, pasi me 25% te kapacitetit është e pamundur. Përderisa autobusi është ambient i mbyllur do të jenë të njëjta kushte që përdoren sot në ambientet e mbyllura. Në lidhje me fatorinon, ky është problem sepse s’mund të respektojmë distancën e sigurisë me fatorinon. Kjo mbetet për t’u zgjidhur nga autoritetet përkatëse”, tha Qoshja.