
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar se do të hapen kopshtet dhe çerdhet nga data 1 Qershor. Ndërkohë, komiteti i ekspertëve, shprehet se virusi nuk është zhdukur dhe duhet shumë kujdes nga çdo qytetar.
“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar. Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 Qershor, protokolli i të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Vlerësojmë që ky protokoll por edhe të gjithë protokollet e sigurisë duhet të zbatohen rreptësisht, pasi janë baza për ruajtjen e shëndetit të popullatës”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e cila mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve.