
Kryeministri Edi Rama bëri me dije se ka përfunduar drafti teknik për bashkimin doganor me Kosovën, që siç e theksoi kreu i qeverisë, do të ndodhë në pranverë.
Nga Durrësi, ku paraditen e kësaj të martë u mbajt një aktivitet për hapjen e zyrës doganore të Kovës në portin e qytetit, Rama tha se “Ministria e Brendshme ka përfunduar drafti teknik në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Kosovës dhe tani drafti do të shkojë ne ministritë e tjera për të hyrë në një proces ligjor dhe për dhe për të garantuar që në pranverë ne të kemi në kufirin e sotëm që ndan Tiranën dhe Prishtinën një sistem kret të ri, sistemin Shengen”.
“Në pranverë do kemi një procedurë krejt tjetër një kufi të ri, solid si kufiri mes Francës dhe Gjermanisë apo Italisë mes Zvicrës, e me radhë”, tha Rama.
Përveç shmangies së kontrolleve për qytetarët, Rama renditi edhe përfitimet që, sipas tij, do kenë bizneset me bashkimin doganor.
“Së shpejti s’do të ketë më nevojë për sipërmarrësit tregtarët që të kenë dy palë vërtetime kur kalojnë në doganë. Shembull: agjencia që garanton sigurinë ushqimore për produkte ushqimore e Kosovës apo Shqipërisë do ketë një vule të njohur të pranuar nga Shqipëria. Kush do që vjen nga Kosova s’ka nevojë të presë dhe anasjelltas. Heqja e dyfishit të vulave do të na ndihmojë edhe në luftën kundër korrupsionit me vulat, firmat, procedurat dhe vonesat që vijnë edhe si rezultat i korrupsionit”, tha Rmaa.
Bashkimi doganor, sqaroi shefi i qeverisë, s’ka aspak lidhje me “Shqipërinë e madhe”.
“Nuk ka një Shqipëri të madhe, ka një komb shqiptar. Ndërkohë nëse duan ta vazhdojnë këtë diskutim nuk kemi gjë për të fshehur. Ëndrra jonë është publike, besojmë se një ëndërr që një popull e sheh me sy hapur herët a vonë e realizon, por jo kjo, kjo është e drejta jonë për të pasur një kufi të ri e për të mos u strapacuar nëpër kontrolle dhe radhë absurde e të pakuptueshme për qytetarët që shkojnë diku tjetër dhe i kanë kufijtë të gjithë të lirë.”