
“Kemi qarë, jemi trishtuar shumë.” Kështu u shprehën mes lotësh fqinjët e çiftit Mata, të cilët u vranë mëngjesin e sotëm.
Ata tregojnë se u tronditën nga lajmi që morën sot dhe se nuk mund ta besonin që kishte ndodhur dicka e tillë, pasi ata të dy ishin shumë njerëz të mirë.
Një fqinje tha mes lotësh se prej 18 vitesh që jetonte në lagje nuk kishe dëgjuar kurrë një konflikt prej tyre.
“Njerëz me të mirë nuk kam parë. Familje shumë e rregullt. Nuk na shkonte mendja që do të ndodhte kjo gjë. Jemi shumë të trishtuar. Është bërë hataja”, – tha fqinja përmes lotëve.
Sot rreth orës 06:56, në Astir, në rrugën “Kristaq Mone”, dhëndri Majlind Lala ka vrarë vjehrrin dhe vjehrrën dhe më pas ka qëlluar veten. Viktimat janë Bujar Mata, 63 vjeç, Valentina Mata, 52, dhe dhëndri Majlind Lala.
Kanë qenë fqinjët ata që kanë lajmëruar policinë, pasi kanë dëgjuar të shtënat. Pasi ka mbërritur në vendngjarje, policia ka gjetur viktimat, çiftin e vrarë brenda në shtëpi, ndërsa dhëndri është gjetur poshtë ballkonit të banesës me pistoletën në dorë dhe i plagosur.
Fillimisht ai është gjetur me shenja jete nga policia, dhe është dërguar në spitalin e Traumës, por nuk ka arritur të mbijetojë.